Dokument ligjor

Kushtet e Përdorimit

Përditësuar 1 tetor 2026

Këto kushte rregullojnë përdorimin e FiskPro, softuer elektronik fiskal i ofruar nga Ledgeron SH.P.K., NUI 812437269, Armend Daci 1, Prishtinë 10000 ("ne"). Duke hapur një llogari dhe duke paguar abonimin, ti ("biznesi", "ti") i pranon këto kushte.

1. Kush e ofron shërbimin

Ofruesi: Ledgeron SH.P.K., i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), numri unik i identifikimit (NUI) 812437269, me seli në Armend Daci 1, Prishtinë 10000. Kontakti: support@fiskpro.com · fiskpro.com. Nuk jemi të regjistruar për TVSH, prandaj çmimet tona nuk përmbajnë TVSH dhe faturat nuk kanë rresht TVSH-je.

2. Çka është shërbimi

FiskPro është softuer arke (POS) me funksion fiskal: lëshon kuponë fiskalë, i ruan ato në një zinxhir të pandryshueshëm në pajisjen tënde dhe i transmeton te ATK sipas rregullave të SEF-it. Abonimi përfshin softuerin e plotë, cloud-in, e-kuponin me email, librat e shitjes e të blerjes, qasjen për kontabilistin dhe përditësimet.

Tavolinat, ndarja e llogarisë dhe printimi i porosive në kuzhinë përfshihen vetëm në planin FiskPro Cafe.

Licenca lidhet me pajisjen. Çdo arkë aktivizohet për një pajisje të caktuar; numri i arkave që mund të aktivizosh është numri që ke blerë.

3. Përgjegjësia tatimore mbetet e jotja

Ne e ofrojmë mjetin; detyrimi ligjor për të lëshuar kupon për çdo shitje, për saktësinë e të dhënave që fut (çmimet, normat e TVSH-së, artikujt) dhe për deklarimin tatimor mbetet i biznesit tënd. FiskPro nuk të zëvendëson kontabilistin dhe nuk merr përsipër detyrimet e tua ndaj ATK-së.

Nëse fut të dhëna të gabuara ose e përdor softuerin në kundërshtim me ligjin tatimor, pasojat janë të tuat.

Nga ana jonë, si zhvillues i softuerit elektronik fiskal (ZHSEF) kemi detyrimet tona ndaj ATK-së: të mos shesim e instalojmë softuer të pacertifikuar, ta mbajmë atë në përputhje me kushtet e certifikimit dhe të mbajmë të regjistruar kodin unik të SEF-it. Transmetimi i kuponëve mbetet detyrim i biznesit; konformiteti i softuerit është yni.

4. Pagesa, periudha dhe aktivizimi

Paguhet paraprakisht, një herë në vit, me transfer bankar. Para pagesës të dërgojmë një faturë proforma; llogaria aktivizohet kur transferta konfirmohet. Prandaj përdore gjithmonë referencën e pagesës që shkruan në proformë, që ta gjejmë pagesën tënde. Pasi pagesa arrin, të dërgojmë faturën.

Faturat proforma, faturat dhe notat e kreditit t'i dërgojmë në formë elektronike (PDF me email), në adresën e llogarisë tënde. Duke pranuar këto kushte, pranon t'i marrësh dokumentet në këtë formë.

Çmimi varet nga plani (FiskPro Counter ose FiskPro Cafe) dhe nga numri i arkave. Ndërrimi i planit bëhet përmes nesh. Kalimi nga FiskPro Counter në FiskPro Cafe gjatë vitit vlen menjëherë, dhe diferenca faturohet vetëm për muajt e mbetur deri në rinovim (muaji i filluar llogaritet i plotë), njësoj si një arkë shtesë. Kalimi në një plan më të ulët bëhet vetëm në rinovim, dhe për periudhën e paguar nuk kthejmë para. Një arkë shtesë që e shton gjatë vitit faturohet vetëm për muajt e mbetur deri në rinovim (muaji i filluar llogaritet i plotë). Instalimi dhe mirëmbajtja nuk faturohen veçmas.

Nëse pagesa nuk arrin, llogaria kalon në vonesë dhe pastaj pezullohet. Të dhënat e tua nuk fshihen me pezullimin, dhe kuponët e lëshuar mbeten në pajisjen tënde.

5. Garanci vullnetare kthimi (14 ditë)

Nëse brenda 14 ditësh nga aktivizimi vendos që FiskPro nuk të përshtatet, na shkruaj dhe ta kthejmë tarifën e paguar, të plotë. Nuk kërkojmë arsye. Kthimin e dokumentojmë me një notë krediti që anulon faturën, dhe llogaria mbyllet.

Kjo është garanci e jona vullnetare, jo e drejtë ligjore e heqjes dorë. E drejta ligjore e heqjes dorë brenda 14 ditësh vlen për konsumatorët (persona fizikë që blejnë jashtë veprimtarisë së tyre afariste), kurse FiskPro shitet për biznese. Ne e japim këtë afat sepse duam ta provosh pa rrezik, jo sepse na detyron ligji.

6. Disponueshmëria dhe puna offline

Arka punon edhe pa internet: shitjet dhe kuponët vazhdojnë, dhe transmetimi te ATK e sinkronizimi me cloud-in bëhen kur lidhja kthehet. Kjo do të thotë se një ndërprerje e shërbimeve tona në internet nuk të ndal shitjen.

Nuk premtojmë një SLA të caktuar për panelin online, përveç kur është rënë dakord veçmas me shkrim.

7. Kufizimi i përgjegjësisë

Përgjegjësia jonë e përgjithshme ndaj teje kufizohet në shumën që ke paguar për abonimin gjatë 12 muajve të fundit. Nuk përgjigjemi për fitim të humbur ose dëme të tërthorta.

Ky kufi nuk zbatohet kur dëmi shkaktohet me dashje ose me pakujdesi të rëndë nga ana jonë. Në ato raste përgjigjemi plotësisht, sipas nenit 248 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve. Asgjë këtu nuk e përjashton përgjegjësinë që ligji nuk lejon të përjashtohet.

8. Ndërprerja

Mund të ndalosh kur të duash: abonimi thjesht nuk rinovohet; nuk ka afat kontrate. Para se të largohesh, eksporto të dhënat e tua; të ndihmojmë nëse na kërkon.

Ne mund ta ndërpresim shërbimin nëse softueri përdoret për mashtrim tatimor ose në shkelje të ligjit, ose nëse pagesa mbetet e pashlyer pas pezullimit.

9. Ndryshimet dhe ligji i zbatueshëm

Nëse i ndryshojmë këto kushte në mënyrë thelbësore, të njoftojmë me email para se të hyjnë në fuqi. Zbatohet ligji i Republikës së Kosovës, dhe gjykatat kompetente janë ato të Kosovës.

Për çdo pyetje: support@fiskpro.com.

Na shkruaj