Dokument ligjor

Politika e Privatësisë

Përditësuar 13 tetor 2026

Ledgeron SH.P.K., NUI 812437269, Armend Daci 1, Prishtinë 10000 e respekton privatësinë tënde dhe të klientëve të tu. Kjo faqe shpjegon saktësisht çfarë të dhënash mbledhim, pse, ku qëndrojnë dhe si i kontrollon ti. E shkruar sipas Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

1. Dy role të ndryshme

Për të dhënat e llogarisë tënde (emri i biznesit, NUI, adresa, telefoni, emaili, pagesat) ne jemi KONTROLLUES: i përcaktojmë ne qëllimet.

Për të dhënat që arka jote dërgon (shitjet, artikujt, operatorët, adresat e emailit të klientëve të tu për e-kuponin) ne jemi PËRPUNUES: janë të dhënat e tua, i përpunojmë vetëm për të ta ofruar shërbimin dhe kurrë për qëllimet tona.

2. Çka mbledhim konkretisht

Llogaria: email dhe fjalëkalim (i ruajtur i hashuar, kurrë në tekst të lexueshëm), emri i biznesit, NUI, adresa, qyteti, telefoni, dhe përgjigjja te pyetja "Si na gjetët?" në regjistrim.

Përmbledhjet e shitjeve, për çdo kupon: data, totali, normat e TVSH-së, mënyra e pagesës, arka, emri i operatorit dhe rreshtat e artikujve. Sinkronizimi me cloud-in është i ndezur për çdo llogari, sepse paneli, librat dhe kontabilisti yt punojnë me këto të dhëna.

Libri i blerjes dhe ditari i arkës: faturat e blerjes (shitësi, numri, shumat, TVSH-ja) dhe lëvizjet e ditarit që i fut ti, ose kontabilisti yt kur ia ke dhënë qasjen.

Dokumentet tona: faturat proforma, faturat dhe notat e kreditit që të dërgojmë ruhen edhe si PDF në arkivin tonë.

Partnerët kontabilistë: emri, emaili, IBAN-i ku u paguhet komisioni dhe cilët klientë i kanë sjellë.

Teknike: identifikuesi i pajisjes për çdo arkë të aktivizuar, koha e sinkronizimit të fundit dhe gjendja e zinxhirit të kuponëve. Këto shërbejnë për licencimin dhe për të treguar nëse arka është online.

Raportet e gabimeve dhe të shpejtësisë: kur faqja ose funksionet tona serverike ndeshin një gabim, si dhe për të matur sa shpejt ngarkohen faqet, një raport teknik (faqja, shfletuesi, kohët e ngarkimit, mesazhi i gabimit) shkon te Sentry. E kemi konfiguruar pa të dhëna që të identifikojnë përdoruesin dhe pa përmbajtjen e kërkesave.

E-kuponi: kur i dërgon klientit kuponin me email, adresa e tij kalon nëpër shërbimin tonë të dërgimit. Nuk e përdorim për asgjë tjetër dhe nuk i dërgojmë asnjë email marketingu.

Numërimi i vizitave: faqja numëron sa herë hapet çdo faqe, nga cili vend dhe nga cila faqe erdhe (Vercel Web Analytics). Pa cookie dhe pa asnjë identifikues të ruajtur në pajisjen tënde, prandaj nuk kërkon pëlqim.

Statistikat e faqes dhe matja e reklamave, VETËM nëse pranon te banderola e cookies: cilat faqe publike hap (adresa e faqes pa parametrat e saj, përveç atyre të fushatave reklamuese si utm_source dhe, te Meta, planit që zgjodhe, si numri i arkave), prej nga erdhe, shfletuesi, pajisja, adresa IP dhe tri ngjarje: shikimi i një faqeje, klikimi i butonit të WhatsApp-it dhe krijimi i një llogarie të re. Maten vetëm faqet publike dhe regjistrimi; paneli i llogarisë, porta e kontabilistit, pagesa dhe çdo faqe tjetër me të dhëna biznesi nuk maten kurrë. Nuk u dërgojmë kurrë emailin, emrin, NUI-n apo të dhëna të biznesit tënd.

Nuk mbledhim të dhëna të kategorive të veçanta dhe ne vetë nuk bëjmë profilizim ose vendimmarrje të automatizuar mbi persona. Nëse pranon, Meta mund t'i përdorë të dhënat e vizitës për reklamat që të shfaq (shih pikën 4).

3. Pse i përpunojmë

Për ta përmbushur kontratën me ty (ta ofrojmë softuerin, të faturojmë, të mbështesim) dhe marrëveshjen me partnerët (pagesa e komisionit), për të përmbushur detyrimet tona ligjore (kontabiliteti dhe arkivimi i dokumenteve tona), dhe për interesin tonë legjitim për sigurinë dhe cilësinë e shërbimit (parandalim abuzimi, kufij ditorë, raportet e gabimeve) e për të kuptuar se nga na gjejnë klientët.

Statistikat e faqes dhe matja e reklamave (Google Analytics, pikseli i Meta-s) bëhen vetëm me pëlqimin tënd, të dhënë te banderola e cookies. Pëlqimi është vullnetar: faqja punon njësoj edhe nëse refuzon, dhe e tërheq në çdo kohë te "Cilësimet e cookies", poshtë në çdo faqe. Tërheqja nuk e prek ligjshmërinë e asaj që u mat më parë.

4. Kush tjetër i prek

Supabase: baza e të dhënave, autentikimi, funksionet serverike dhe ruajtja e skedarëve (përfshirë arkivin e PDF-ve).

Resend: dërgimi i emailave (faturat, e-kuponi, librat mujorë).

Vercel: pritja e faqes fiskpro.com. Si çdo ofrues i pritjes, sheh adresën IP të vizitorëve dhe regjistrat e kërkesave.

Sentry: raportet e gabimeve dhe të shpejtësisë nga faqja dhe nga funksionet serverike, pa të dhëna që të identifikojnë përdoruesin.

GitHub: instaluesit për Windows dhe macOS shkarkohen nga GitHub, i cili sheh adresën IP të atij që shkarkon.

Kontabilisti yt, vetëm nëse ti e fton ose e lejon kur regjistrohesh: sheh shitjet dhe TVSH-në e biznesit tënd (vetëm lexim) dhe mban librin e blerjes e ditarin e arkës për ty. Qasjen ia heq ti, në çdo kohë, nga paneli.

ATK, sipas ligjit: transmetimi i kuponëve fiskalë bëhet nga arka jote drejtpërdrejt, si detyrim ligjor i biznesit.

Google Analytics, nga Google, vetëm nëse pranon: na tregon sa vizita ka faqja, cilat faqe hapen, prej nga vijnë vizitorët dhe cilat reklama sjellin regjistrime. Google e përpunon këtë për ne, si përpunues. E kemi konfiguruar pa Google Signals dhe pa personalizim reklamash, dhe Google fshin automatikisht çdo adresë emaili që mund të kalojë rastësisht.

Meta (pikseli i Meta-s, për reklamat në Facebook dhe Instagram), vetëm nëse pranon: mat cilat nga reklamat tona çojnë në një vizitë, në një bisedë në WhatsApp ose në një llogari të re. Për mbledhjen e këtyre të dhënave dhe dërgimin e tyre te Meta jemi kontrollues të përbashkët me Meta-n; pas kësaj Meta i përpunon si kontrollues më vete, sipas politikës së saj të privatësisë, edhe për reklamat që të shfaq.

Shkronjat e faqes i shërbejmë vetë: shfletuesi yt nuk lidhet me Google për to. Nuk i shesim të dhënat e tua askujt. Të dhënat e llogarisë dhe të arkës nuk i ndajmë kurrë për reklama; Google dhe Meta marrin vetëm të dhënat e vizitës në faqet publike, të përshkruara më sipër, dhe vetëm nëse pranon.

Transferimi jashtë Kosovës: Supabase, Resend, Vercel, Sentry dhe GitHub i ofrojnë shërbimet nga serverë jashtë vendit (Sentry i ruan raportet në Bashkimin Evropian, në Gjermani), dhe Google e Meta, nëse i pranon cookies, i përpunojnë të dhënat e vizitës edhe në Shtetet e Bashkuara. Prandaj të dhënat përpunohen edhe jashtë Kosovës. Statusi i vendimit të përshtatshmërisë së Agjencisë për këto destinacione është në shqyrtim nga ne dhe kjo faqe përditësohet sapo të sqarohet.

5. Sa gjatë i mbajmë

Detajet për çdo shitje mbahen 15 muaj në cloud; përmbledhjet ditore dhe mujore mbahen sa është e nevojshme për raportim. Të dhënat e llogarisë dhe faturat tona i mbajmë sa kërkon ligji tatimor.

E RËNDËSISHME: dritarja 15-mujore e cloud-it NUK e zëvendëson detyrimin tënd ligjor të ruajtjes. Sipas nenit 6.3 të Ligjit Nr. 08/L-257, të dhënat tatimore ruhen së paku 6 vjet pas përfundimit të periudhës tatimore, dhe neni 46 i UA (MF) Nr. 01/2026 ta lë ty ruajtjen e kuponëve fiskalë. Kuponët qëndrojnë në pajisjen tënde në zinxhirin e pandryshueshëm; kujdesu për kopje rezervë dhe eksporto rregullisht.

Kuponët fiskalë vetë qëndrojnë në pajisjen tënde, në zinxhirin e pandryshueshëm. Atë e kontrollon ti, jo ne.

6. Të drejtat e tua

Ke të drejtë të kërkosh qasje, korrigjim, fshirje, kufizim, kundërshtim dhe transferim të të dhënave. Na shkruaj në adresën më poshtë dhe përgjigjemi pa vonesë, brenda një muaji. Për kërkesa komplekse ose të shumta afati mund të zgjatet edhe dy muaj. Për këtë të njoftojmë brenda muajit të parë, me arsyet. Përgjigjja është pa pagesë.

Nëse nuk je i kënaqur me përgjigjen tonë, mund të ankohesh te Agjencia për Informim dhe Privatësi e Republikës së Kosovës.

7. Cookies dhe ruajtja lokale

Cookie thelbësore, gjithmonë: cookie-t e sesionit që të mbajnë të kyçur dhe, për sa kohë faqja është vetëm me ftesë, një cookie që e lejon shfletuesin tënd të hyjë me linkun e ftesës.

Cookie statistikore dhe reklamash, VETËM nëse pranon: _ga dhe _ga_KEFCCF72ZS nga Google Analytics (2 vjet), _gcl_au kur matim reklamat në Google (90 ditë), _fbp dhe _fbc nga Meta (90 ditë; _fbc vetëm kur vjen nga një reklamë e Meta-s). Para se të pranosh, skriptet e Google dhe të Meta-s nuk ngarkohen fare dhe këto cookies nuk vendosen. Në panelin e llogarisë dhe në faqet me të dhëna biznesi nuk ngarkohen kurrë.

Zgjedhja jote ruhet vetëm në shfletuesin tënd (fp-consent) për 12 muaj, pastaj të pyesim sërish. E ndryshon ose e tërheq kur të duash te "Cilësimet e cookies", poshtë në çdo faqe; kur e tërheq, këto cookies fshihen dhe faqja ringarkohet pa skriptet.

Gjuha, tema (e errët/e ndritshme) dhe shënimi që një regjistrim është numëruar tashmë ruhen në shfletuesin tënd dhe nuk na arrijnë kurrë.

8. Siguria

Çdo llogari i sheh vetëm rreshtat e vet, të zbatuar në nivel të bazës së të dhënave e jo vetëm në ndërfaqe. Komunikimi është i enkriptuar. Arka autentikohet me një token të nënshkruar kriptografikisht, i lidhur me pajisjen.

Nëse ndodh një shkelje që rrezikon të drejtat e tua, të njoftojmë pa vonesë të panevojshme.

9. Kontakti

Kërkesat për të dhënat personale (qasje, korrigjim, fshirje) dhe çdo pyetje tjetër dërgoji te support@fiskpro.com. Kontrolluesi është Ledgeron SH.P.K., NUI 812437269, Armend Daci 1, Prishtinë 10000.

Na shkruaj